Kampet elektorale përpiqen të mobilizojnë votuesit e pavendosur në shtetin Xhorxhia

  • A.P /
  • 27 September 2024 - 07:42
Kampet elektorale përpiqen të mobilizojnë votuesit e pavendosur në shtetin Xhorxhia

Xhorxhia është një ndër shtatë shtetet e pavendosura që mendohet se do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane të këtij viti dhe të dyja kampet elektorale po punojnë për të mobilizuar votuesit në këtë shtet. Votimi i hershëm për zgjedhjet presidenciale fillon në Xhorxhia në 15 tetor. Anketimet tregojnë një përballje me rezultat të ngushtë mes Nënpresidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump.

Guvernatori i Xhorxhias Brian Kemp dhe kandidati për nënpresident JD Vance u shfaqën së bashku rishtazi në një aktivitet publik, duke demonstruar kështu unitetin e Partisë Republikane, pas disa vitesh mosmarrëveshjesh mes zotit Kemp dhe ish-Presidentit Donald Trump.

Dëshirojmë një fillim të ri”, thotë Dorothy Harpe, votuese në Xhorxhia.

Ajo nuk është e shqetësuar për mosmarrëveshjen e ish-Presidentit Trump me guvernatorin Kemp në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, për të cilat zoti Trump pretendon se i fitoi. Ajo është më e shqetësuar për ekonominë.

“Kishim çmime më të ulëta për ushqime, karburant, energji. Gjithçka ishte më mirë nën administratën Trump”, thotë zonja Harpe.

Ky është një mesazh që zonja Harpe e shpërndan në mbarë komunitetin e saj, duke i inkurajuar njerëzit të votojnë.

“Janë edhe shumë të rinj që thonë se do të votojnë për Trump-in”, thotë ajo.

Në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden fitoi në Xhorxhia me një diferencë prej vetëm rreth 11 mijë votash më shumë, nga një total prej 5 milionë votash. I ndërgjegjshëm për këtë, guvernatori republikan i bëri thirrje audiencës, përshirë zonjës Harpe, që të votojnë.

(Kosova Sot Online)