Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Berlin
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Berlin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
MPJ njofton se kryediplomatja kosovare udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Gjermani për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Pas pjesëmarrjes në Konferencën e djeshme të Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS me ftesë të Sekretarit Blinken, të mbajtur në Uashington, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Berlin, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në këtë takim, MPJ thotë se “ministrja Gërvalla do të paraqes qëndrimet e Republikës së Kosovës në raport me Procesin e Berlinit dhe integrimin evropian të Republikës së Kosovës”.
Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur, ndërkohë që nga Gjermania janë përsëritur kërcënimet për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk hiqet ndalesa për mallrat e prodhuara në Serbi. I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, pas dy vizitave të fundit në Prishtinë për këtë çështje, ka thënë se vendi po rrezikon izolim të thellë.
Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Europës Qendrore për Tregtisë të Lirë dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon t’i ndalojë importet serbe, ka thënë Manuel Sarrazin.
Ministrja e Gjermanisë për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, gjatë një vizite në Kosovë më 16 shtator, ka paralajmëruar se bllokada në CEFTA “rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinit dhe ta parandalojë më tej bashkëpunimin rajonal”.
(Kosova Sot Online)