Gazetari i njohur: Vuçiq e ka kthyer diktaturën
“Kur shërbimi sekret fillon të ndërhyjë në liritë tona dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, ne nuk flasim më për demokraci, mund të flasim vetëm për shkallën e diktaturës”, tha gazetari Branko Çeçen, duke komentuar protestat e djeshme të fermerëve gjatë të cilave disa prej tyre u ndaluan nga BIA, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Protestat e fermerëve janë mbajtur dje në Serbi dhe disa prej tyre janë ndaluar nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA). Në mesin e tyre është edhe Sllobodan Vidojeviq, i cili ka deklaruar se një grup njerëzish, pa shenja policore apo urdhër, e kanë futur me forcë në një furgon të zi dhe e kanë dërguar në ambientet e BIA-s në Çaçak për një intervistë informative, e cila sipas tij zgjati rreth dy orë
“Shumë pak njerëz e kuptojnë se detyra e BIA-s nuk është të arrestojë qytetarët tanë, përveç nëse ata janë të përfshirë në një lloj spiunazhi ose ndonjë krim jashtëzakonisht të dëmshëm. Edhe nëse është e vërtetë ajo që pretendojnë disa politikanë, se në ato protesta janë përfshirë disa njerëz që nuk janë fermerë, sërish nuk është punë e BIA-s dhe është e frikshme që BIA po e bën. Sepse, kur shërbimi sekret fillon të ndërhyjë në liritë tona dhe të drejtat njerëzore dhe qytetare, ne nuk flasim më për demokraci, mund të flasim vetëm për shkallën e diktaturës”, tha Çeçen.
Ai shtoi se edhe policia, edhe kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit, nuk duhet të ndalojë qytetarët në atë mënyrë.
“Ky nuk është qartazi vetëm një abuzim i policisë dhe BIA-s – të cilin ne kemi qenë dëshmitarë që nga fillimi i kësaj qeverie, por këtu jemi dëshmitarë të një arrogance të madhe në atë abuzim”, tha Çeçeni.
Ai kujtoi se përfaqësues të shquar të pushtetit shpesh shfaqen në shoqërinë e kriminelëve.
“Atëherë ku është BIA? A nuk është e tmerrshme që kriminelët bashkëpunojnë me përfaqësuesit e pushtetit? Kjo është shumë më e frikshme se dikush që pretendon të jetë fermer”, tha Branko Çeçen.
Ai tha se “kazani” në Serbi është shumë i ngjashëm me Bjellorusinë dhe Rusinë.
“Një kazan në të cilin kur dikush vendos të protestojë, thonë – do ta lëmë të shkojë pak, dhe pastaj do të arrestojmë aktivistët që e kanë udhëhequr, për t’i prerë ato protesta… Ata do të vazhdojnë ta bëjnë, do të kemi gjithnjë e më pak të drejta … Dhe në fund secili prej nesh do të duhet të marrë një vendim, jo nëse do të angazhohemi, por deri ku do të shkojmë në atë angazhim dhe çfarë çmimi do ta paguajmë më pas për të“, përfundoi gazetari Branko Çeçen për N1.
(Kosova Sot Online)