'Gjermania po synon akomodinimin e Serbisë, Kosova nën presion dhe masa'

  • A.P /
  • 02 October 2024 - 15:31
'Gjermania po synon akomodinimin e Serbisë, Kosova nën presion dhe masa'

Gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” ia ka kushtuar sot një artikull, qasjes së Perëndimit, në veçanti Gjermanisë si një prej shteteve kyçe të BE-së, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë artikull të gazetës austriake i kushtohet vëmendje sidomos qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Der Standard” në këtë artikull thekson se politika e jashtme e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor formulohet brenda Qeverisë gjermane nga këshilltarët e kancelarit Scholz. Këtu përmendin Jens Plotner, si një nga më të rëndësishmit.

Sipas gazetës austriake, qasja e Gjermanisë “synon qartazi akomodimin e Serbisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, ndërkohë që shtojnë se Kosova është nën presion të diplomatëve gjermanë, politikë kjo që sipas Der Standard “diktohet kryesisht edhe nga administrata e SHBA-së” dhe Gjermania thjesht e ndjekë atë.

Tutje “Der Standard” potencon faktin që Kosova është nën sanksione për shkak të vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti, e ndërkohë që Serbia është bërë partneri kryesor për Gjermaninë, ndonëse “milici serbe të lidhura me regjimin në Beograd” kanë kryer sulm terrorist kundër shtetit të Kosovës, ku edhe ka mbetur i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku.

 “Serbia nuk u mbajt kurrë përgjegjëse për këtë”, shkruan Der Standard.

Gjithashtu medium austriak përmend faktin se si Gjermania dhe Franca, kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ekonomike me qeverinë serbe.

“Gjermania dhe kompanitë e saj të automobilave, si Mercedes, po mbështesin hapjen e një miniere të diskutueshme të litiumit në Serbinë perëndimore sepse duan ta përdorin këtë lëndë të parë për bateritë e makinave të tyre elektrike. Franca, nga ana tjetër, i shiti Serbisë dymbëdhjetë avionë luftarakë Rafale”, shkruan Der Standard.

(Kosova Sot Online)