Gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit

  • A.P /
  • 10 October 2024 - 09:21
Gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit- zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bytyqi po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar me qellim të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL, sipas të cilit raport vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Bytyqi pa bazë ligjore, si dhe pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendime të kundërligjshme për zvogëlimin e borxhet të disa operatorëve ekonomikë me qellim të përfitimit të kundërligjshme për vete apo për persona të tjerë dhe shkaktimit të demit të buxhetit të shtetit.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Bytyqi më 07.09.2021 ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Fluidi”, të cilit për periudhën kohore prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar vetëm shumën prej 13 mijë e 72.30 euro, ani pse ky operator ekonomik vetëm për periudhën kohore prej vitit 2008-2013, sipas grupit ministror të vitit 2014, detyrohej për borxhin prej 4,458,24.00 euro, e po që se do të llogaritej edhe periudha kohore prej vitit 2014 e tutje, borxhi do të jetë shumë herë më i lartë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri, Izedin Bytyqi gjithashtu më 31.08.2021 ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Frutti”, të cilit për periudhën kohore prej janarit 2017 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar vetëm shumën prej 39,81 euro, ani pse ky operator ekonomik si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub pasi që kjo është në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr.02/2016, neni 4 par.2, pika 2.1.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, zëvendës-sekretarit të MMPHI-së, më 11.03.2022, ka nxjerr vendim financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për operatorin ekonomik “Frutex”, i cili aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, të cilin për periudhën kohore prej muajt korrik të vitit 2019 deri në dhjetor të 2021-ës i përcakton si detyrim financiar prej 127.40 euro.

Më tej, në dosjen e Prokurorisë thuhet se, i pandehuri Izedin Bytyqi, duke shkelur detyrën zyrtare si rezultat i përllogaritjes së borxheve në mënyrë të kundërligjshme të disa operatorëve ekonomik, në muajin dhjetor të vitit 2023, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Frutti” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore dhe në kundërshtim me kriteret e caktuara në lejet paraprake, dhe këtë e ka arritur pasi që është ushtruar presion tek zyrtarët e MMPHI-së, B.B dhe M.K, të caktuara për të shqyrtuar kërkesat për vazhdimin e lejeve ujore, e të cilat janë kërcënuar nga Naser Hafizi se po që se nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i pandehuri Bytyqi, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të MMPHI-së, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që gjatë vitit 2022-2023 ua ka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm prej 10 për qind të pagës bazë për punë të kryera brenda orarit të punës zytareve B.B dhe M.K, të cilat nën presionin e të pandehurit Naser Hafizi kanë përgatitur dosjet e operatorëve ekonomik dhe kanë hartuar vendimet e kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve dhe vazhdimin e lejeve ujore ani pse operatorët ekonomik nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara.

Ndryshe, Bytyqi u ndalua të martën pas një aksioni të PSRK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, aksion ky që u zhvillua në objektin e MMPHI-së.

Prokuroria të martën njoftoi se i pandehuri tjetër- Naser Hafizi, që dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nuk është gjetur në vendbanimin e tij, ka siguruar “Betimi për Drejtësi".

Në komunikatën e PSRK-së është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë.

(Kosova Sot Online)