
Lajçak po punon për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i OSBE’së

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, aktualisht është duke bërë plane për një takim të ri të negociatorëve në Bruksel, por në të njëjtën kohë po punon edhe për një strategji për një vend të ri pune. Lajçak ka dëshirë të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i OSBE, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Lajçak aktualisht është duke krijuar një konsensus rreth postit të ri, Sekretar i Përgjithshëm i OSBE. Rusia ka disa kohë që bllokon miratimin e buxhetit dhe emërimet në OSBE dhe po paralizon organizatën. Ndoshta rusët do ta pranojnë atë, sepse ai është “nxënësi i tyre”, i ka përfunduar studimet në Moskë. Ndoshta ai do të jetë një kompromis”, ka thënë për këtë gazetë një bashkëbisedues i informuar nga burime diplomatike.
Fillimisht u njoftua se Lajçak do të ishte ambasador i BE-së në Zvicër, por më pas edhe se nuk do të shkojë për shkak të, siç u publikua, “rrethanave personale të paparashikuara”.
Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, Lajçak do të qëndrojë në postin aktual e të dërguarit special të BE-së deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. Kjo përkon në një masë të mirë me Helga Schmidt, mandati katërvjeçar i së cilës si Sekretare e Përgjithshme e OSBE përfundon në fund të këtij viti.
(Kosova Sot Online)