Tusk: Presidenca e Trump vjen me ‘pasoja’ për sigurinë evropiane
Kryeministri polak, Donald Tusk, shprehu shqetësimin se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane do të ketë pasoja të rënda për sigurinë evropiane, por tha se s’mund të parashikonte saktësisht se cilat do të ishin ato pasoja, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Zgjedhjet në SHBA do të kenë pasoja serioze për politikën evropiane, veçanërisht në fushën e sigurisë,” tha Tusk në një konferencë shtypi para fluturimit të tij në Budapest për një samit të liderëve evropianë.
Ai theksoi se për Poloninë është shumë e rëndësishme që të mbrohen interesat e saj, duke shtuar se ato janë të përcaktuara qartë.
“Për ne është shumë e rëndësishme, dua ta theksoj këtë, Polonia ka interesa të përcaktuara qartë,” tha ai.
Tusk po ashtu theksoi se mesazhi i tij kryesor për liderët e tjerë evropianë do të ishte “konsolidimi i marrëdhënieve transatlantike”. Ai shtoi se kishte “marrëdhënie të mira personale” me Trump gjatë mandatit të tij të parë, kur ai ishte President i Këshillit Evropian.
Duke u ndalur tek Trump, Tusk e përshkroi atë si një partner “kërkues” që besonte në përdorimin e “paparashikueshmërisë” në politikë, si ndaj aleatëve ashtu edhe ndaj armiqve të tij.
(Kosova Sot Online)