Peci: Për një muaj e gjysmë, 3-4 panaire janë organizuar në Kosovë

  • A.P /
  • 09 November 2024 - 16:58
Peci: Për një muaj e gjysmë,  3-4 panaire janë organizuar në Kosovë

Forumi Ekonomik i Kosovës që u organizua për herë të parë në Paris ka arritur të promovojë me sukses potencialin e Kosovës në bujqësi. Kështu ka thënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Peci ka thënë se në këtë forum janë bërë prezantimet e secilit sektor të bujqësisë, e që ka shpërfaq njëkohësisht edhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që përmes përkrahjes së ndërmarrësve dhe prodhuesve të produkteve të shumta ta qoj përpara këtë sektor.

Peci ka paralajmëruar investime tjera të reja në sektorin e Bujqësisë. Ndërsa, e ka quajtur Kosovën dhe një vend tejet të përshtatshëm për investime nga jashtë duke përmendur kushtet e favorshme për investitorët e huaj, si tatimet më të ulëta në rajon edhe avantazhet tjera sikurse është fuqia punëtore, sidomos të rinjtë e Kosovës që janë tepër inovativ, njohin gjuhë të huaja dhe teknologji.

Peci tha se promovimi i potencialit të sektorit të mishit, qumështit, pemëtarisë janë disa nga të arriturat e prodhimtarisë kosovare, e që kjo ministri sipas tij po i mbështet.

“Është hera e parë që Qeveria e Kosovës realizon një forum të tillë me qeverinë franceze. Para disa javësh nën kryesimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe prezencën e disa prej ministrave tonë që mbulojnë sektorin e ekonomisë kemi bërë prezantimin veç e veç të secilit sektor në potencialet që i ka Kosova. Tashmë nëse flasim për sektorin e bujqësisë, ka një numër të konsiderueshëm të sektorëve ku investimet munden me ndodhë në sektorin e perimeve dhe mundet me pas investime në sektorë tjerë ta zëmë, sikurse janë ato të produkteve të mishit edhe të qumështit apo mund të ketë edhe investime të tjera në sektorin e pemëtarisë ose të bimëve mjekësore aromatike, për secilën veç e veç e kemi bërë mandej prej një prezantimi preliminar të përgjithshëm mandej në sesionet informuese në detaje se cilat janë mundësitë”, ka deklaruar Peci.

Ai ka theksuar se Kosova ofron mundësi shumë të favorshme edhe për investimet e jashtme.

“Kosova ofron edhe mundësi të shumë të favorshme për investimet e jashtme, marr për bazë nivelin e vlerës ose tatimit, tatimeve që i realizon që janë më të ulëta në rajon edhe avantazhet tjera sikurse është edhe aspekti i fuqisë punëtore, por njëkohësisht edhe vendi i cili ka numrin më të ri në nivel evropian e që kjo mund të përkthehet në aspektin e avantazhit për shkak se të rinjtë e Kosovës janë tepër inventivë, njohin gjuhë të huaja dhe teknologji. E gjithë kjo e shndërron Kosovën në një vend atraktiv për mundësitë e investimeve për investitorë të jashtëm”, theksoi ai.

Peci theksoi se aspekti i qëndrueshmërisë afatgjatë sigurohet në momentin kur krijohen produkte dhe standarde të larta.

“E viteve të fundit rritja e numrit të eksporteve dhe produkteve bujqësore është si rezultat jo vetëm i rritjes së prodhimtarisë, por është rezultat edhe i rritjes së nivelit të cilësisë. Kështu që ne po punojmë në të gjitha rrafshet, në nivelin e përkrahjes së prodhimit primar edhe përkrahës përmes grandeve në nivelin e rritjes së cilësisë, por edhe shpirti ndërmarrës i fermerëve dhe ndërmarrësve po mundëson që thjeshtë ne të kemi cilësinë e produkteve bujqësore kjo është parakusht i garancës së  sigurimit të qëndrueshmërisë së produkteve bujqësore në realizim e eksporteve”, tha Peci.

Brenda një muaj e gjysmë, Peci ka potencuar se janë mbajtur mbi tre panaire të organizuar në Kosovë me përkrahje ndërkombëtare.

Po ashtu, ministri i MPZHR, njoftoi se në këto panaire kanë pasur përkrahje gratë fermere në komunat e Kosovës, të cilat kanë promovuar produktet vendore.

“Vetëm në një muaj e gjysmë, diku janë 3-4 panaire që janë organizuar në Kosovë me përkrahje ndërkombëtare, me përkrahje të institucioneve vendore por edhe iniciativave të ndryshme. Edhe ne si ministri e Bujqësisë kemi përkrahë një numër të panaireve kryesisht të grave fermere te disa komuna të Kosovës. Kështu që prezantimi dhe promovimi ekziston dhe ka përkrahje në nivel vendor. Por, njëkohësisht është një numër i madh i panaireve ndërkombëtare që ku ka prezencë të produkteve edhe të prodhuesve vendor, në këtë rast nëse flasim për forumin ekonomik mes Francës është Republikës së Kosovës që ishte para disa javësh bashkë me kryeministrin e vizituam edhe panairin më të madh jo vetëm evropian, por ndoshta edhe Botëror CEAL  ku kishte prezencë edhe përkrahje nga institucione, diku 10 prodhues vendor. Kështu që promovimi edhe prezantimi i produkteve tona po ndodh në çdo panair ndërkombëtar që organizohet e njëkohësisht edhe panaireve vendore”, tha Peci.

(Kosova Sot Online)