Bashkimi Evropian nuk dëshiron luftë tregtare me Pekinin
Bashkimi Evropian (BE) nuk dëshiron luftë tregtare me Pekinin, por pesë vjet bisedime nuk kanë treguar përparim të mirëfilltë, tha të shtunën ambasadori i bllokut në Kinë, Jorge Toledo, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Toledo theksoi se janë rritur shqetësimet për qasjen e pajisjeve mjekësore evropiane në tregun kinez.
Mospajtimet tregtare mes bllokut dhe Kinës janë rritur dukshëm gjatë vitit të fundit, pasi BE-ja e nisi një hetim ndaj importit të veturave elektrike të prodhuara nga Kina, duke e nxitur Pekinin të niste hetime ndaj industrive evropiane të qumështit dhe mishit të derrit, si dhe t’i kufizonte importet e rakisë.
Tarifat e reja të BE-së deri në 45.3 për qind ndaj importit të veturave elektrike nga Kina, hynë në fuqi javën e kaluar.
Për më tepër, BE-ja e nisi në prill një hetim ndaj prokurimit publik që Kina ua bën pajisjeve mjekësore, gjë që u kritikua në atë kohë nga Pekini.
Duke folur në një ngjarje të shtunën në Shangai, Toledo tha se pas bisedave me prodhuesit e pajisjeve mjekësore evropiane është kuptuar se ata po diskriminohen nga prokurimi publik i Kinës.
“Ne e kemi kuptuar, kjo është e qartë… kompanitë evropiane, të cilat kanë prodhuar pajisje mjekësore në Kinë në dy dekadat e fundit, janë duke u diskriminuar karshi konkurrentëve të vet kinezë në procedurat e prokurimit publik”, tha Toledo.
“Nëse kjo është e vërtetë, dhe ne e dimë se është, atëherë edhe ne do t’i trajtojmë ngjashëm kompanitë kineze në Evropë”, tha ai.
Por ai shtoi se “ne nuk duam luftë tregtare. Ne thjesht duam transparencë”.
(Kosova Sot Online)