Bajrami - Rizvanollit: Pse asnjëherë s’ke treguar sa ka kushtuar energjia në veri?
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami është përfshirë në një polemikë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sa i përket kostos së energjisë të paguar për pjesën veriore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ishte ministrja Rizvanolli e cila fillimisht tha se po thuhen shumë të pavërteta për çmimin e energjisë në veri.
“Sa i përket energjisë elektrike dhe subvencionimit të energjisë elektrike u thanë aq shumë të pavërteta sa nuk po di nga t’ia filloj, si dhe për çmimin e energjisë elektrike, siç janë thënë edhe shumë herë të tjera”, tha ministrja Rizvanolli në seancë plenare.
E ashpër me të u tregua deputetja Bajrami, e cila e ftoi ministren Rizvanolli ta thotë të vërtetën e saj.
Teksa lexoi çmimin sipas pasqyrave financiare të KOSTT-it, Bajrami tha se bordi i KOSTT nëse ka thënë të pavërteta i jep llogari deputetëve. Ndërsa e akuzoi ministren se asnjëherë s’ka treguar se sa ka kushtuar energjia në veir.
“Ministre Rizvanolli, pasi u thënë shumë të pavërteta, pse bre s’po e thu të vërtetën tane. Del, trego, të lutem trego sa të ka kushtu energjia elektrike në veri. Unë po them sipas pasqyrave financiare të KOSTT-it, 4.5 milionë më 2019, 8.7 milionë në 2020, 2021 janë 51.6 milionë, 2022 janë 78 milionë, 2023 janë 35.7 milionë. Cila është e pavërteta? Dil, thuje e thirrim KOSTT-in. Ata i raportojnë Kuvendit edhe i thojmë pse po thoni të pavërteta, kaq. Thuje të vërtetën tane. Asnjëherë s’ke qenë në gjendje me thanë kaq ka kushtu energjia në veri. Dil thuje të vërtetën, mos e le askë me spekulu. Kaq e thjeshtë. Po po thuni të pavërteta, po unë s’kam të vërtetë!”, deklaroi deputetja Bajrami.
(Kosova Sot Online)