Dogana e Kosovës ka parandaluar dy raste të kontrabandimit

  • A.P /
  • 11 November 2024 - 15:40
Dogana e Kosovës ka parandaluar dy raste të kontrabandimit

Dogana e Kosovës ka parandaluar dy raste të kontrabandimit të mallrave në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në rastin e pare janë konfiskuar 226 paketime parfumesh të markave të njohura me vlerë prej 13 mijë e 699 euro.

“Rasti 1: mbrëmë më ora 20:50, oficerët doganorë ndaluan një automjet me targa kosovare. Derisa pala kur u pyet nëse kishte diçka për të deklaruar, u përgjigj “Jo”. Gjatë një kontrolli të bagazhit dhe ndarjes së gomës rezervë, oficerët zbuluan 226 paketime parfumesh nga marka si të njohura , me një vlerë totale prej 13,699.70 €. Pas zbulimit mallrat janë konfiskuar dhe për momentin iu janë nënshtruar procedura të origjinalitetit të tyre.”

Ndërsa në rastin e dytë janë zbuluar 40 mijë cigare elektronike në vlerë prej 4 mijë e 340 euro.

“Rasti 2: mbrëmë në orën 22:45, një automjet targa të RMV u ndalua për kontroll. Pas deklarimit të shoferit se nuk kishte mallra për të deklaruar, oficerët kryen një kontroll të dytë dhe zbuluan 40,000 cigare elektronike me vlerë prej 4,340.00 €, të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit.”

“Të dy personat kanë shkelur Kodin e Doganës dhe të Akcizave të Kosovës. Rastet i janë referuar Sektorit të Kundërvajtjeve Doganore për veprime të mëtejshme ligjore, derisa sektori i Hetimeve është duke punuar në hetime shtesë. Dogana e Kosovës fton qytetarët të raportojnë çdo sjellje të dyshimtë ose joetike përmes numrit falas 0800 50095, duke mbrojtur kështu ekonominë dhe sigurinë e vendit.”

(Kosova Sot Online)