Ahmeti: Nëse preket gjuha shqipe, të gjithë shqiptarët do të jenë në këmbë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se nëse preket gjuha shqipe, të gjithë shqiptarët do të jenë në këmbë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këto komente, Ahmeti i ka bërë gjatë mbledhjes së organizuar nga dega e BDI-së në Shuto Orizare, pas raportimeve se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut mund t’i shfuqizojë disa nene të Ligjit për Gjuhë, që do të afektonte drejtpërdrejtë përdorimin e Gjuhës Shqipe.
Siç ka njoftuar BDI-ja, në këtë mbledhje është diskutuar për “nënçmimin, largimet nga puna të shqiptarëve, tentimet për shfuqizimin e gjuhës shqipe, balancuesin dhe zhbërjen e gjitha të arriturave të shqiptarëve para syve të shkelësve të vullnetit të shqiptarëve VLEN”.
Por, theksohet se lideri Ali Ahmeti siguroi anëtarët, simpatizantët e qytetarët se nuk do të tolerojnë për asnjë çmim të rrënohen të arriturat me shumë sakrificë.
Ndryshe, Ahmeti ka filluar aksionin opozitar për të kundërshtuar qeverinë e Hristjan Mickoski-t, e cila, siç thotë ai, nuk ka legjitimitet etnik.
Kjo për faktin se lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski bëri marrëveshje qeverisëse me koalicionin “VLEN”, të cilët ishin humbës të zgjedhjeve në taborin shqiptar.
Me këtë veprim, Mickoksi shkeli parimin e fituesit me fituesin (në taborin shqiptar dhe në atë maqedonas).
Përveç kësaj, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë edhe një sërë veprimesh që janë konsideruar si “anti-shqiptare”.
Largimi i shqiptarëve nga pozitat të rëndësishme publike njëra ndër to.
Pos kësaj, gjatë kësaj qeverie fillimisht u ndryshua Balancuesi (mekanizmin që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të bashkësive etnike në administratën publike), duke u ulur përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucione dhe u rrit ai i maqedonaseve dhe serbëve, ndërsa më vonë u shfuqizua në tërësi.
Po ashtu, ka edhe raportime se Gjykata Kushtetuese ditëve në vijim mund t’i shfuqizojë disa nene të Ligjit për Gjuhë.
(Kosova Sot Online)