Kurti: Jam bashkërenduar me Presidenten Osmani për politikën e jashtme

  • A.P /
  • 29 November 2024 - 12:16
Kurti: Jam bashkërenduar me Presidenten Osmani për politikën e jashtme

Kryeministri Albin Kurti sot ka folur për deklaratat e presidentes Vjosa Osmani në fjalimin e fundvitit ku kritikoi “luajtjen bixhoz” me aleancat e Kosovës – një deklaratë që aludoi në raportet e Kurtit me partnerët ndërkombëtarë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti këtë deklaratë e bëri në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në një ngjarje sot në Podujevë.

“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim e bashkërendim edhe me presidenten Osmani, edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe ministren Gërvalla, sa i përket politikës së jashtme. Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta dhe besoj që kësisoj duhet të vazhdojmë”, tha Kurti.

Kurti përsëriti se nuk ka sfida të patejkalueshme, ndërsa më pas foli për gjendjen në veriun e Kosovës – një temë që kishte përplas Kurtin me aleatët.

“Të gjitha vështirësitë, sfidat nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë dhe besoj që kurrë nuk ka qenë gjendja në veriun e Kosovës më e mirë dhe më e sigurt sesa tani. Në katër komunat atje ka edhe siguri, ka edhe zhvillim, ka edhe demokraci. Jo sa do të duhej, po pakrahasueshëm më mirë sesa më parë”.

Në fjalimin e saj para Kuvendit Osmani kishte thënë se “të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”.

“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm”.

Në pyetjen për hedhjen e granatave në veri, Kurti tha se “keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka”.

“Mirëpo, strukturat paralele grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë ose strehohen diku jashtë rajonit tonë. Me fjalë të tjera nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”.

Kryeministri Kurti tha se mund të ketë individë e grupe në veri që synojnë të ndjellin frikë, por se nuk janë më të fuqishëm se shteti i Kosovës.

“Unë besoj që janë shprehje edhe e pafuqisë së tyre ndërkohë që janë akte kriminale dhe terroriste që kanë për qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tashmë në Kosovë nuk mund të ketë as individ as grup as strukturë që është më i fuqishëm sesa shteti i pavarur i Kosovës, Republikën tonë demokratike, e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejtë”.


(Kosova Sot Online)