E thotë motra e kosovarit të vrarë në Florida: Pajtimin e vrau gruaja
Një ngjarje tragjike ka tronditur një familje kosovare në Florida, SHBA, mbrëmjen e 27 nëntorit, ku burrë dhe grua nga Kosova u gjetën të vrarë me armë zjarri. Rrethanat dhe shkaqet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pajtim Krasniqi nga Peja është gjetur i vdekur mbrëmjen e 27 nëntorit, bashkë me bashkëshorten e tij në Florida të SHBA-së.
Lidhur me këtë tragjedi, ka reaguar vetë motra e Pajtimit, Albana përmes një postimi në Facebook të shkruar në gjuhën angleze.
Motra e të ndjerit e ka akuzuar gruan e Pajtimit, për këtë vrasje makabre.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllëzërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë …”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.
“Festën e Falenderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, shkruan tutje ajo.
(Kosova Sot Online)