Kurti: Jemi të bindur se sulmi në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit është orkestruar nga Serbia

  • A.P /
  • 30 November 2024 - 09:08
Kurti: Jemi të bindur se sulmi në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit është orkestruar nga Serbia

Kryeministri  Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka deklaruar se kanë dyshime që prapa sulmit me eksploziv në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit janë bandat kriminale serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se ky është një akt i rëndë kriminal dhe terrorist.

“Ne besojmë nga fqinji ynë veriori, agresiv dhe armiqësor. Vetëm ditëve të fundit patëm sulm me granata dore ne stacionin policor në Zveçan më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të komunës së Zveçanit e sonte ishte edhe akti më I rëndë ku në Zubin Potok me mjete shpërthyes u dëmtua rëndë kanali kryesor I Ibër-Lepencit nga i cili furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u për ftohjen  e elektranave dhe furnizimin me energji elektrike”, ka thënë ai.

Tutje Kurti tha se kanali është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar, teksa shtoi se policia aktualisht është në vendngjarje duke hetuar rastin.

“Kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. PK-ja tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërpre përkohësishtë sipas lajmërimeve nga kRU “Mitrovica”. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe mbase më të rëndësishmen  që e kemi dhe kjo mbase ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet dhe njoftimit nga institucionet e Kosovës”, tha ai.

Tutje Kurti tha se janë të bindur që sulmi është orkestruar nga Serbia.

“Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës , rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen e plotë të rastit. Sulmi është kryer nga profesionist. Është sulmi i radhës  kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat kriminale të udhëhequra dhe orkestruara nga Serbia, që e ka edhe interesin, gatishmërinë dhe aftësinë për të shkaktuar sulme dhe dëmtime të tilla, në këtë rast duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, tha ai.

(Kosova Sot Online)