Vjosa Osmani, ka anuluar vizitën në Brunei, pas sulmeve në Ibër Lepenc

  • A.P /
  • 30 November 2024 - 09:17
Vjosa Osmani, ka anuluar vizitën në Brunei, pas sulmeve në Ibër Lepenc

Presidentja Vjosa Osmani, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei, “pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës“, duke iu referuar sulmit në kanalin e ujit të Ibër Lepencit. Udhëtimi i saj ishte planifikuar për sot në mëngjes, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot,  Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në orët e para të mëngjesit.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj, dhe se Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.

“Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)