Berisha: Ibrahim Rugova idenë e Kosovës së pavarur e mbolli në zemrën e çdo shqiptari

  • A.P /
  • 30 November 2024 - 10:55
Berisha: Ibrahim Rugova idenë e Kosovës së pavarur e mbolli në zemrën e çdo shqiptari

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Presidentit historik të Kosovës në Tiranë u organizua konferenca shkencore “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtet-formimi në Kosovë”, ku mori pjesë edhe ish-kryeministri njëherazi kreu i PD-së Sali Berisha, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se ‘Lidhja e Prizrenit’ ishte pa diskutim një bashkim kombëtar, ku Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, këto ishin ëndrrat e shqiptarëve.

“Me gjithë problemet dhe serinë e pafundme të mbrapshtive, ne kemi pasur, kemi nxjerrë gjithnjë, figura të shquara. Shumë dëshirojnë të krahasohen me Skënderbeun, etalon, natyrisht princ i përjetshëm. Por nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë. Kështu që sot ai do të ishte 80 vjeç. Nuk është, por e vërteta është se ai është midis nesh dhe i pavdekshëm me veprën e tij.Thashë se, bëra atë krahasim në fillim sepse ai, ideja e një Kosove të lirë nuk vdiq kurrë në Kosovë. Edhe gjatë perandorisë Kosova arriti të ishte një nga pjesët më të rëndësishme, herë, herë edhe më fatale të saj.Kosova ishte e para që ju kundërvu projektit copëtues të trojeve shqiptare. Banorët e Plavës dhe Gucisë, banorët e tjerë. Lidhja e Prizrenit ishte një, pa diskutim një bashkim kombëtar. Por Kosova e pavarur nuk ishte një projekt i mëparshëm, Kosova e lirë, Kosova e Shqipërisë, këto ishin ëndrrat e shqiptarëve.

Një njeri nisi apo ngjizi në mendjen e shqiptarëve të Kosovës, një ëndërr të re; Kosova e pavarur. Në takimin e parë në shkurt të vitit 1991, i ndjeri Azem Hajdari i cili nuk kishte gjë tjetër në mendje, veç Kosova e bashkuar me Shqipërinë, rrinte e rrinte dhe e pyeste. I thoshte, po për bashkimin? Më vonë i thoshte Rugova, kjo njëherë. Këtë ide të Kosovës së pavarur ai e mbolli në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari pothuajse, në Kosovë”, tha Berisha mes të tjerash.


(Kosova Sot Online)