Pas dëmtimit të kanalit të ujit në Zubin Potok a mund të ketë ndërprerje të ngrohjes?

  • A.P /
  • 30 November 2024 - 17:30
Pas dëmtimit të kanalit të ujit në Zubin Potok a mund të ketë ndërprerje të ngrohjes?

Ngrohtorja e Qytetit është deklaruar për situatën me ngrohje pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga Termokos kanë thënë se kanë furnizim stabil dhe të mjaftueshëm me ngrohje, duke shtuar se aktualisht s’kanë probleme në operim.

Ne kemi furnizim stabil dhe të mjaftueshëm me ngrohje. Jemi në koordinim të ngushtë me KEK-un dhe nuk kemi kurrfarë problemi në operim”, kanë deklaruar nga ngrohtorja.

Kryshefi i Termokos, Fisnik Osmani, ka thënë se nëse paraqiten probleme në Termocentralin “Kosova B”, rrjedhimisht do të rrezikohet edhe shërbimi me mungesë të ngrohjes në Prishtinë.

“Lajmi i mirë është që është rregulluar atje, është sanuar përkohësisht dhe nuk pritet të ketë ndonjë afet të ngrohej në Prishtinë. Por, e natyrshme është ne varemi komplet prej operimit normal të Kosovës B, të dy turbinave B1 dhe B2. Për sa kohë që nuk ka problem atje, atëherë nuk rrezikohet as shërbimi jonë. Informatat e fundit momentalisht ka furnizim stabil dhe nuk ka diçka telashe…Nuk është paraqitur problem, kemi qenë në kontakt. Gjithçka është në kontroll. Nëse paraqiten probleme në Kosovën B natyrisht që do afektohet edhe mungesa e ngrohjes”, ka deklaruar Osmani.

Ndryshe, mbrëmë në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

(Kosova Sot Online)