Dëshmitari i ri në Speciale pretendon se është rrahur nga UÇK’ja

  • A.P /
  • 05 December 2024 - 14:37
Dëshmitari i ri në Speciale pretendon se është rrahur nga UÇK’ja

Një dëshmitar i mbrojtur serb ka qenë dëshmitari i radhës në rastin e ish-krerëve të UÇK’së në Hagë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokuroria e ka prezantuar atë si person që kinse është arrestuar nga anëtarë të UÇK’së dhe është rrahur në një vend ku është marrë në pyetje.

“Më 1999 Dëshmitari 01225 u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK dhe u dërgua në një vend ku u mor në pyetje dhe ku është rrahur. Ai gjithashtu ka dëgjuar britma të personave të tjerë që keqtrajtoheshin. Dëshmitari 01225 është liruar pas disa orësh”, deklaroi prokurori.

Përgjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja, dëshmitari ka pohuar se ka qenë pjesë e një njësiti serb në Kosovë, por që s’ka pasur ndonjë detyrë të veçantë. Madje, ka pranuar se njësiti në të cilin ka qenë ai, ka zhvilluar dyluftime nëpër “vende të vogla”.

Mbrojtja ka pyetur edhe lidhur me një deklaratë që ia ka dhënë ai prokurorisë, se ishin kryer vrasje në një fshat nga forcat serbe, që ka të ngjarë të kenë qenë paraushtarakë. Dëshmitari serb e ka mohuar një gjë të tillë.

Në shumicën e dëshmisë së tij, seanca ka kaluar në private.

(Kosova Sot Online)