Zeqa: LDK-ja 'Rugoviane' është varrosur nga Isa Mustafa me sejmenët e tij
Analisti Florim Zeqa, përmes një shkrimi në llogarinë e tij sociale, ka shpërthyer me kritika të forta ndaj LDK-së pas publikimit të listës për deputet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai shprehu pakënaqësinë e tij, duke theksuar se, pavarësisht 43 vjetëve të veprimtarisë atdhetare dhe 35 vjetëve në shërbim të LDK-së, nuk është përfshirë në listën për deputet.
"LDK-ja Rugoviane Post-mortum" shkruan Zeqa, duke theksuar se periudha më e lavdishme e LDK-së, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka përfunduar me 31 maj 2015, kur Isa Mustafa dhe grupi i tij e morën drejtimin e partisë.
Zeqa e përmend më tej se kurora e fundit mbi varrin e LDK-së, siç e njeh ai, është hedhur nga Lumir Abdixhiku dhe grupi i tij më 4 dhjetor 2024.
Kritikat e Zeqës vijnë si një reagim ndaj asaj që ai e konsideron humbjen e identitetit të LDK-së dhe kalimin e saj në një fazë tjetër, që për të është larg trashëgimisë rugoviane.
(Kosova Sot Online)