'Emërimi i familjarëve të Liburn Aliu dhe Besnik Bislimit në KOSTT një shembull flagrant i nepotizmit'
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendimet e marra nga deputetët e shumicës parlamentare përforcojnë elementet e korrupsionit dhe kapjes së institucioneve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas KDI-së, emërimi i familjarëve të ministrit Liburn Aliu dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit në KOSTT është një shembull flagrant i nepotizmit dhe përbën një shkelje të rëndë të parimeve të integritetit dhe të ndarjes së pushtetit. “Ky vendim, përveç se cenon integritetin e institucioneve publike, zhvlerëson edhe premtimet dhe angazhimet e partisë në pushtet për institucione të pavarura,” thuhet në reagimin e KDI-së.
Instituti ka theksuar gjithashtu se ky emërim është pjesë e një strategjie më të gjerë që përdor institucionet për interesa private dhe politike të individëve të lidhur me pushtetin. Në reagim, KDI gjithashtu ka kritikuar miratimin e shpejtë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e quajtur këtë një goditje për proceset demokratike parlamentare. “Ky Projektligj, i proklamuar si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit, nuk do të duhej të miratohej pa konsultime publike, pa debat parlamentar e pa përfshirjen e publikut,” theksohet më tej në reagimin e KDI-së.
KDI shprehu shqetësimin se këto zhvillime janë tregues i një tendence për të dobësuar shtetin e së drejtës dhe për të favorizuar interesat e ngushta politike të partisë në pushtet.
(Kosova Sot Online)