E zbulon Abazi: Albin Kurti ka rënë në kurthin e Vuçiqit

  • A.P /
  • 07 December 2024 - 13:00
E zbulon Abazi: Albin Kurti ka rënë në kurthin e Vuçiqit

Haki Abazi, i cili së fundmi i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë që kryeministri Albin Kurti i ka bërë shërbim Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai në një intervistë ka thënë se Kurti ka rënë në kurthin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Abazi tregoi edhe qëndrimet e përbashkëta me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj sa i përket kryeministrit Kurti.

“Unë e kam thënë qartazi se Kurti është zhveshur nga atributet dhe vlerat kombëtare pasi që është bërë kryeministër. Mund të ketë qenë i tillë edhe sa ka qenë në opozitë sepse të gjitha kauzat përfshirë kauzën kombëtare e ka pas si formë të trajektores për të arritur te pushteti. Marrëdhëniet me Shqipërinë tregojnë një gjë të tillë. Është gjëja më e prekshme e shkatërrimit fundamental të marrëdhënieve të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai paraqitet në Shqipëri vetëm për të bërë fotografi për popullizëm jo për përmbajtjen. Në anën tjetër mendoj se çfarë na përbashkon me z.Haradinaj në këtë pikë është ajo që e them në vazhdimësi: Kurti ka rënë ne linjën historike të së majtës sllave. Do të thotë veprimet e tija nuk dallojnë fare prej komunistëve shqiptarë të Kosovës në kohë kur ata kanë luftuar me të djathtën dhe ka vazhduar e në vazhdimësi e ka luajtur melodinë e të majtës sllave në veprimet e tij si kryeministër.”, tha Abazi,

Ai tha se Kurti ka rënë në kurthin e Vuçiqit dhe e ka larguar Kosovën nga bota demokratike. Me këtë sipas Abazit ai i ka bërë shërbim Serbisë dhe të majtës sllave.

Abazi u shpreh se Kurti mban afër këshilltarë të cilët munden lehtë të sinkronizohen me këshilltarët e Vuçiqit.

(Kosova Sot Online)