
Haliti: Hamza kandidati më i përshtatshëm për kryeministër

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe sipas tij do të korrë fitore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Haliti thotë se PDK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e fushatës, madje sipas tij, kjo parti është duke prezantuar kandidaturën më të mirë për kryeministër.
“Ne jemi në konsolidim të partisë të degëve nëndegëve me qëllim që të jemi të përgatitur për fillimin e fushatës. Fushata akoma nuk ka filluar zyrtarisht dhe për këtë arsye ne po përgatitemi se hapësira kohore është e mjaftueshme për të gjitha partitë. PDK-ja po e prezanton kandidaturën më të mirë që e ka Kosova, zotëri Bedri Hamza që të merr pjesë në të gjitha takimet që të bashkëbisedojë me qytetarët dhe me anëtarësi e partisë me qëllim që të del partia e parë”, ka deklaruar Haliti, sipas eo.
Haliti gjithashtu theksoi se kandidatura e Bedri Hamzës po pritet shumë mirë nga elektorati i PDK-së, sipas tij, Hamza është kandidati më i përshtatshëm për kryeministër për programin e PDK-së.
(Kosova Sot Online)