
Detaje nga vrasja e Liridona Ademajt, vjen njoftimi nga prokuroria

Prokuroria në Prishtinë ka thirrur Konferencë për media, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.Konferenca do të mbahet nesër në ora 10:00 – sipas njoftimit që ka bërë Prokuroria, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Hetimet për një prej rasteve më të rënda penale të pasluftës në vendin tonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka finalizuar.
Më shumë se 1 vit nga vrasja e Liridona Ademajt, ky institucion pritet që të ngris aktakuzë për të dyshuarit si të përfshirë në të.
Përmes një njoftimi, ata kanë bërë të ditur se Kryeprokurori Zejnullah Gashi, nesër do të mbajë një konferencë për media, pa përmendur aktakuzën, por kjo i është konfirmuar nga burime të afërta me procesin.
Konkretisht, ato kanë thënë se aktakuza, tashmë është duke marrë formën përfundimtare para se të dorëzohet në gjykatë në mesjavë.
U kontaktua edhe familja e Liridona Ademajt, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin më gjerësisht.
Ata kanë pohuar të kenë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe kanë qenë në njohuri për procesin.
“Besojmë që drejtësia do të triumfojë dhe ata të cilët e kryen këtë akt të dënohen maksimalisht. Vetëm denimi maksimal zbut sado pak zemrat tona.” – Familja Ademaj
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
Ndaj Naim Murselit – sipas kërkesës së paraburgimit – rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.
Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes, që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – duke aluduar në vrasjen e Ademajt.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.
“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.
“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.
Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.
Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.
Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.
Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.
Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.
(Kosova Sot Online)