Osmani pret delegacionin e AP të Këshillit të Europës

  • A.P /
  • 17 January 2025 - 15:29
Osmani pret delegacionin e AP të Këshillit të Europës

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evuropës, të kryesuar nga Petra Bayr, e cila do t`i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

“Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.

“Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”.

(Kosova Sot Online)