Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës

  • A.P /
  • 18 January 2025 - 15:38
Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidentja Vjosa Osmani, priti në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.

Në takim u theksua se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhjet e para të rregullta që mbahen në përputhje me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend.

Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE, më 2022. Edhe pse ishte parashikuar të ishte pjesë e agjendës për pranim në takimin e Këshillit të Ministrave më 16 maj 2024, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë asociacionin nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg. 

(Kosova Sot Online)