PZAP gjobiti me 125 mijë euro partitë politike

  • A.P /
  • 23 January 2025 - 08:22
PZAP gjobiti me 125 mijë euro partitë politike

Më 11 janar 2025 partitë politike kanë nisur fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti. Gjatë prezantimit të premtimeve e programit të tyre ato nuk kanë kursyer as gjuhën e ashpër karshi njëra-tjetrës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ofendimet, akuzat e gjuha nxitëse ka bërë që të reagoj me gjoba nga më të ndryshmet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP).

PZAP ditë më parë njoftoi se janë gjobitur tri parti të mëdha politike kjo për shkak të  “shkeljes së kodit të mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.

Më 20 mijë euro u dënua LDK-ja, me 12 mijë euro AAK dhe me tre mijë euro LVV-ja. Kjo gjobë nuk i mjaftoi partisë në pushtet që të ndalë “shkeljen e kodit të mirësjelljes” pasi u pasua edhe me një dënim tjetër me vlerë të 3 mijë e 500 eurove për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i VV dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

Pas këtyre gjobave, PZAP të hënën i publikoi edhe vendimet më të reja.

PDK u dënua me 4 mijë euro për shkak të një videoje të publikuar nga kandidatja për deputete e këtij subjekti që e ka realizuar në Kuvend në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje. Njëjtë u dënua edhe një kandidat tjetër i PDK-së, pasi ka realizuar video brenda hapësirave të Odës së Mjekëve.

Me 3 mijë e 500 euro u dënua sërish LDK-ja, derisa dënim tjetër mori edhe koalicioni AAK-NISMA, ku njëri kandidat mori 3 mijë e 500 euro gjobë.

PZAP ka theksuar se totali i gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve politike me vendimet e PZAP-it, deri më tani është 125,000.00 euro.


(Kosova Sot Online)