Ilir Meta reagon nga qelia për ndarjen nga jeta të Janullatos

  • A.P /
  • 25 January 2025 - 16:09
Ilir Meta reagon nga qelia për ndarjen nga jeta të Janullatos

Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 95-vjeçare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos”, shkruan Meta i cili i dha pasaportën shqiptare në 2017.

Presidenti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (PL) e ka cilësuar Anastas Janullatosin një udhëheqës të jashtëzakonshëm shpirtëror dhe një shembull frymëzues të dashurisë për njerëzit.

“Do t’i mbetemi gjithmonë mirënjohës për gjithçka ka bërë për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, duke e ringritur atë nga gërmadhat në rrethana të vështira dhe duke e zhvilluar më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, si dhe për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, e cila është një pasuri e madhe kombëtare për popullin tonë,” shkruan Meta.

Ai thekson gjithashtu se trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet e gjallë dhe kujtimi i tij do të jetë gjithmonë i paharruar.


(Kosova Sot Online)