
ZRRE-ja tregon a do të rritet çmimi i rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale dhe janë në proces të vlerësimit, por sipas tyre, aktualisht çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në njoftimin për media thuhet se këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente.
“Dëshirojmë të sqarojmë për opinionin publik se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE. ZRRE fton të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)