
PDK e bindur: Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie

Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media tha se në këto zgjedhje, PDK’ja ka dalë forca e dytë me madhe politike në vend, e që sipas tyre, ky është një rezultat i madh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Blerand Stavileci tha se PDK’ja ka arritur të marrë më shumë se 200 mijë vota.
“PDK ka arritur një rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend me mbi 200 mijë vota”.
Tutje ai tha se rezultati në këto zgjedhje tregojnë se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeveri.
Po ashtu, Stavileci tha se kryetari i partisë, Memli Krasniqi dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza do të dalin me një qëndrim zyrtar pas finalizimit të rezultateve nga ana e KQZ’së.
“Ky është një sukses i pamohueshëm për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, ata kërkojnë një qeveri të re, një qeveri tjetër. Ditët në vijim, me finalizimin e rezultateve, kryetari Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza do të dalin me qëndrimin tonë zyrtar për hapat e ardhshme”.
(Kosova Sot Online)