Si kundërpërgjigje ndaj synimeve të Trump, danezët ofrojnë ta blejnë Kaliforninë

  • A.P /
  • 12 February 2025 - 13:10
Si kundërpërgjigje ndaj synimeve të Trump, danezët ofrojnë ta blejnë Kaliforninë

Që nga kthimi në presidencë muajin e kaluar, Donald Trump ka bërë thirrje që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, ka sugjeruar se ai mund të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë, ka shpalosur mundësinë që SHBA të ketë në pronësi Gazën – dhe është përpjekur të blejë Grenlandën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Tani, Danimarka – e cila zotëron Grenlandën – po i përgjigjet.

Më shumë se 200,000 danezë kanë nënshkruar një peticion satirik për të blerë Kaliforninë nga SHBA, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“A keni parë ndonjëherë një hartë dhe keni menduar, ‘E dini se çfarë i nevojitet Danimarkës? Më shumë rreze dielli, palma dhe këpucë me rrota’. Epo, ne kemi një mundësi të vetme një herë në jetë për ta bërë realitet atë ëndërr”, thuhet në peticion.

“Le të blejmë Kaliforninë nga Donald Trump!”.

Në krye të faqes së internetit të peticionit, një slogan thërret “Måke Califørnia Great Ægain” dhe mbështetësit e supozuar si Lars Ulrich [muzikant danez] i Metallicas dhe Viggo Mortensen [aktor amerikano-danez] i serialit të famshëm “Lord of the Rings” japin arsye për ta bërë Kaliforninë “Danimarkë të Re”.

“Ne do të sjellim hygge* në Hollywood, korsi biçikletash në Beverly Hills dhe smørrebrød organike në çdo cep të rrugës. Mund të zbatohen sundimi i ligjit, kujdesi shëndetësor universal dhe politika e bazuar në fakte”, vazhdon peticioni.

“Le të jemi të sinqertë – Trump nuk është pikërisht fansi më i madh i Kalifornisë. Ai e quajti atë “shteti më i shkatërruar në union” dhe grindet me udhëheqësit e saj për vite me radhë. Ne jemi shumë të sigurt se ai do të ishte i gatshëm të ndahej me të [Kaliforninë] për çmimin e duhur”.

Trump dhe guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Neësom, janë bllokuar në marrëdhënie të tensionuara që kur presidenti rimori detyrën – me Neësom së fundmi që drejtoi 50 milionë dollarë për të luftuar administratën Trump dhe përpjekjet e saj për dëbim dhe Trump kërcënoi të kushtëzojë ndihmën federale për fatkeqësitë për shtetin pas zjarreve të Los Anxhelosit.

Peticioni synon të grumbullojë 1 trilion dollarë dhe të marrë 500,000 nënshkrime.

Trump filloi të nxirrte idenë e blerjes së Grenlandës në vitin 2019, duke thënë se SHBA duhet të kontrollojë territorin autonom “për sigurinë ekonomike”.

 Ishulli Arktik besohet të jetë i pasur me naftë dhe gaz, si dhe lëndë të tjera të para thelbësore për teknologjinë e gjelbër – që po bëhen të disponueshme pasi shtresat masive të akullit dhe akullnajat shkrihen si rezultat i krizës klimatike. I njëjti akull i shkrirë po hap gjithashtu rrugë të reja transporti.

Duke folur në televizionin danez në janar, Mette Frederiksen, kryeministrja daneze, tha se Grenlanda “nuk ishte në shitje”, duke shtuar: “E parë me sytë e qeverisë daneze, Grenlanda u përket grenlandezëve”.

Në mënyrë të ngjashme, pas një vizite nga Donald Trump Jr në fillim të këtij viti, kryeministri i Groenlandës, Múte Egede, tha: “Ne jemi grenlandezë. Ne nuk duam të jemi amerikanë. Ne nuk duam të jemi as danezë. E ardhmja e Grenlandës do të vendoset nga Grenlanda”.

Megjithëse peticioni danez për të blerë Kaliforninë mund të jetë një shaka, oferta e SHBA-së për të blerë Grenlandën duket mjaft serioze.

Buddy Carter, një përfaqësues republikan i Gjeorgjisë, njoftoi se ai kishte paraqitur një projektligj për të autorizuar blerjen e Grenlandës dhe riemërimin e saj “Red, White and Blueland”.

*Hygge është një term danez që nuk ka një përkthim të drejtpërdrejtë në gjuhët e tjera, por ajo përdoret për të përshkruar një mënyrë jetese që promovon gëzimin dhe relaksimin përmes gjërave të vogla që ndihmojnë të krijohet një atmosferë e ngrohtë dhe e dashur.

(Kosova Sot Online)