
Gashi: S’ka kuptim një koalicion VV-LDK pas deklaratave të Kurtit

Rezultati zgjedhor i 9 shkurtit do ta ndërlikojë formimin e institucioneve të reja, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Arben Gashi që ishte shef i Grupit parlamentar të LDK-së në legjislaturën e fundit e sheh të vështirë formimin e qeverisë së re, pasi, sipas tij, s’ka shumicë në asnjërën anë.
Megjithatë, Gashi thotë se Vetëvendosje e ka në dorë me gjete partnerë dhe me kriju koalicion.
“Vështirë është me pas qeveri në të gjitha opsionet, sepse s’ka shumicë në asnjërën anë. Duhet pritur rezultatin, por është shumë vështire me kriju qeverinë. Vetëvendosje e ka në dorë me kriju koalicion”, ka thënë Gashi.
I pyetur, se a do t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës së mundshme të Kurtit, për bashkëqeverisje mes VV-së e LDK-së, Gashi thotë se s’ka kuptim një marrëveshje mes dy subjekteve, pas deklaratave të Kurtit.
Në situatën aktuale, ai thotë se opsioni i parë janë zgjedhjet.
“Nuk ka kuptim qeverisja e LDK-së me Vetëvendosjen pas deklaratave të Kurtit. Opsioni i parë sapo shoh janë zgjedhjet, por të presim numërimin e votave dhe të shohim çka kanë vendosur qytetarët në kuti”, ka shtuar Gashi.
(Kosova Sot Online)