Vjosa Osmani ndan Dekorata Presidenciale për 17 vjetorin e Pavarësisë

  • A.P /
  • 18 February 2025 - 13:34
Vjosa Osmani ndan Dekorata Presidenciale për 17 vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka ndarë Dekorata Presidenciale për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë kësaj ceremonie, ajo ka ndarë urdhrin post mortem ‘‘Hero i Kosovës’’, Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari.

Dekoratën nga Osmani e ka pranuar Bekim Jashari.

Osmani gjatë fjalimit të saj ka thënë se se familja Jashari është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës.

“Një moment i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq. Në historinë e njerëzimit rrallë herë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar, dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri tek qëndresa heroike e marsit 1998, Jasharët nuk u thyen asnjëherë, nuk u zmbrapsën asnjëherë, ata në fakt përqafuan pavdekësinë”, tha Osmani.

Osmani, ka ndarë urdhrin post mortem ‘‘Hero i Kosovës’’ edhe për Fehmi Lladrvocin, e Xhevë Lladrovcin, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e vendit.

Këtë urdhër Osmani e ka ndarë edhe për Tahir Sinanin.

(Kosova Sot Online)