Ja çfarë dihet rreth arrestimit të një gruaje për spiunazh në Kosovë

  • A.P /
  • 04 March 2025 - 07:39
Ja çfarë dihet rreth arrestimit të një gruaje për spiunazh në Kosovë

4 ditë pas arrestimit të një gruaje me inicialet J.GJ. nga komuniteti serb në veri të Kosovës për “spiunazh”, pothuajse nuk ka asnjë informacion mbi këtë rast, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo që dihet është se J.GJ. është punëtore e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar shkurtimisht se personi i dyshuar për “spiunazh” është arrestuar më 28 shkurt në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

Prokuroria Speciale, gjithashtu, njoftoi më 28 shkurt se personi i arrestuar për spiunazh mund të përballet me një dënim minimal prej pesë vjetësh burgim, sipas Kodit Penal, nëse konfirmohet se është marrë me spiunazh ose ka mbledhur të dhëna për një shërbim të huaj inteligjence apo ndihmojnë në ndonjë mënyrë tjetër punën e atij shërbimi.

Deri tani, e vetmja gjë që dihet është se e arrestuara J.GJ. është banore e Mitrovicës së Veriut, e cila është e punësuar në OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).


(Kosova Sot Online)