Orav: Angazhimi në dialog dhe udhëheqja drejt reformave vendimtare

  • A.P /
  • 12 March 2025 - 15:45
Orav: Angazhimi në dialog dhe udhëheqja drejt reformave vendimtare

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Avio Orav, ka shpalosur sot pritshmëritë e Unionit për qeverinë e re të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Të parën që e radhit ai është angazhimi i qeverisë që do formohet nga zgjedhjet e 9 shkurtit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja

“Në fjalimin tim sot, ndava pritshmëritë e mia për qeverinë e ardhshme të Kosovës: për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE; për ta udhëhequr Kosovën në rrugën e reformave vendimtare”.

Ai tha se Plani i Rritjes është “një mjet i shkëlqyer” për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në BE.

Këto komente Orav i bëri gjatë prezantimit të Barometrit të Reformave Europiane 2024 nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK) sot në Prishtinë.

Në këtë barometër u tha se që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, Kosova nuk ka bërë asnjë përparim në rrugën integruese.

Orav shtoi se ky barometër është i rëndësishëm për vlerësimin e perfomancës së qeverisë për reformat drejt BE-së.

“Barometri i Reformave Europiane, i mbështetur nga ambasada e Holandës në Kosovë dhe që u implementua nga GLPS dhe Instituti Epik, është një mjet i vlefshëm në procesin e zgjerimit: ai vlerëson performancën e qeverisë dhe ministrisë në reformat e BE-së dhe ndihmon në përmirësimin e llogaridhënies së institucioneve publike”, tha ai.


(Kosova Sot Online)