
Sorensen takon ndaras Elekun dhe Rashiqin: Pata diskutime të mira

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar se në takime të ndara ka diskutuar me partitë serbe që fituan ulëse në Kuvendin e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në Prishtinë ai u takua me kryetarin e Listës Srpska, Zlatan Elek dhe me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, i cili aktualisht është ministër në Qeveri.
“Pata diskutime të mira të ndara me partitë që fituan mandate në zgjedhjet e fundit sipas rezultateve zyrtare Lista Srpska dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, për pozitën, shqetësimet dhe dëshirat e serbëve të Kosovës në Kosovë”, ka shkruar Sorensen në X.
Pak më herët, Lista Srpska lëshoi një komunikatë për media për këtë takim.
Kjo parti tha se iu ankua emisarit europian se kryeministri Albin Kurti ia dha një mandat në Kuvend ministrit Nenad Rashiq me “vota të shqiptarëve”.
(Kosova Sot Online)