
Trump sugjeron që SHBA të mund t’i menaxhojë centralet bërthamore të Ukrainës

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një telefonatë njëorëshe, të cilën e përshkroi si “shumë të mirë”, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, një ditë pasi foli me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pas bisedës, Zelensky tha se besonte që “paqa e qëndrueshme mund të arrihet këtë vit” nën udhëheqjen e Trump.
Shtëpia e Bardhë tha se gjatë bisedës udiskutua edhe për mundësinë e një pronësie amerikane mbi centralet bërthamore të Ukrainës, por Zelensky më vonë sqaroi se kjo kishte të bënte vetëm me objektin në Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus.
Toni i kësaj bisede duket se bie në kontrast me vizitën e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, kur ai dhe Trump, së bashku me nënpresidentin amerikan JD Vance, patën një përballje të tensionuar.
Kjo ishte hera e parë që dy liderët flisnin me njëri-tjetrin që nga ai takim, megjithëse ekipet e tyre janë takuar në Arabinë Saudite dhe kanë negociuar një armëpushim të propozuar për 30 ditë.
Ndërsa Ukraina dhe SHBA-ja e mbështesin këtë propozim, Putin e refuzoi gjatë telefonatës me Trumpin të martën.
Gjatë bisedës së tij me Trumpin, Zelensky tha se është i hapur për një armëpushim të pjesshëm që do t’i ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, hekurudhave dhe porteve – por paralajmëroi se Ukraina do të kundërpërgjigjej nëse Moska do t’i shkelte kushtet e marrëveshjes.
“E kuptoj që derisa të biem dakord [me Rusinë], derisa të ketë një dokument për një armëpushim të pjesshëm, gjithçka do të vazhdojë të fluturojë” tha ai, duke iu referuar dronëve dhe raketave.
Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se telefonata kishte për qëllim përafrimin e kërkesave dhe nevojave të Ukrainës dhe Rusisë, duke shtuar se përpjekjet për armëpushim janë në rrugën e duhur.
Më vonë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Trump kishte rënë dakord ta ndihmonte Ukrainën të siguronte sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, veçanërisht nga vendet europiane.
Dy liderët “ranë dakord të ndanin informacion në mënyrë të ngushtë midis ekipeve të tyre të mbrojtjes, ndërsa situata në fushën e betejës evoluonte”, tha Rubio.
Ai shtoi se Trump dhe Zelensky diskutuan për “furnizimin me energji elektrike të Ukrainës dhe centralet bërthamore”, me Trumpin që propozoi se “Shtetet e Bashkuara mund të jenë shumë të dobishme në menaxhimin e këtyre centraleve, duke shfrytëzuar ekspertizën e tyre në fushën e energjisë dhe shërbimeve publike”.
Sipas Rubio-s, pronësia amerikane mbi këto centrale do të ishte mbrojtja më e mirë për atë infrastrukturë dhe një mbështetje për sistemin energjetik të Ukrainës.
Zelensky konfirmoi se tema e centraleve u diskutua, por këmbënguli se u përmend vetëm objekti në Zaporizhzhia.
Këto zhvillime pritet të jenë një lehtësim për Zelenskyn, i cili e përshkroi bisedën me Trumpin si “pozitive”, “të sinqertë” dhe “shumë përmbajtësore” gjatë një konference online me gazetarët të mërkurën.
“Ne besojmë se, së bashku me Amerikën, me Presidentin Trump dhe nën udhëheqjen amerikane, paqja e qëndrueshme mund të arrihet këtë vit” shkroi ai në X.
Gjatë konferencës me gazetarët, Zelensky tha se beson që Putin nuk do ta pranojë një armëpushim të plotë për sa kohë që trupat ukrainase janë ende në rajonin perëndimor rus të Kurskut, pas një sulmi të befasishëm të Ukrainës atje në gushtin e vitit të kaluar.
Ndërkohë, si Zelensky ashtu edhe Putin kanë deklaruar se do të pranonin të ndalonin sulmet mbi infrastrukturën energjetike. Megjithatë, të dyja palët janë akuzuar reciprokisht për vazhdimin e sulmeve.
(Kosova Sot Online)