Vjehrra dhe reja bëhen 'llom' mes vete në Skenderaj

  • A.P /
  • 19 April 2025 - 17:33
Vjehrra dhe reja bëhen 'llom' mes vete në Skenderaj

Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe nuset të cilat kanë probleme me vjehrra, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në Skenderaj, ku një 66-vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së djalit të saj.

Rasti është raportuar rreth orës 07:00 në rrugën “Sala dhe Hamit Jashari”, ku nusja, rreth 31-vjeçare ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF si pasojë e dhunës që dyshohet se u ushtrua ndaj saj nga vjehrra, rreth 66-vjeçare.

Burimet bëjnë me dije se pas një përplasjeje fizike, të dyja kanë pësuar lëndime trupore dhe janë trajtuar fillimisht në QKMF, e më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë për trajtim të mëtejshëm.

Pas trajtimit mjekësor, të dyja janë shoqëruar në Stacionin Policor në Skenderaj, ku janë intervistuar lidhur me rrethanat e ngjarjes. Hetimet e para tregojnë se përplasja ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme familjare.

Lidhur me rastin, Prokurori ka urdhëruar që të iniciohet si “Lëndim i lehtë trupor”.

Pas incidentit, sipas burimeve të Sinjalit, vjehrra dhe bashkëshorti i saj janë larguar nga banesa në Skenderaj dhe janë shpërngulur në fshatin Aqarevë, ndërsa nusja ka mbetur në banesë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.

(Kosova Sot Online)