
Trump mund të shkojë në Turqi për bisedimet Ukrainë-Rusi

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mund të shkojë në Stamboll të premten, nëse do të ketë përparime gjatë ditës së sotme në bisedimet për paqen në Ukrainë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas The Guardian, duke folur nga Katari, gjatë vizitës së tij katërditore në Lindjen e Mesme, Trump tha se shpreson që Rusia dhe Ukraina të “bëjnë diçka”, pasi lufta “duhet të ndalet”.
“Do të donim ta shihnim [luftën] të përfunduar dhe mendoj se kemi një shans për ta arritur këtë,” ka shtuar Trump.
Kujtojmë se presidenti Vladimir Putin ende nuk e ka thënë në mënyrë të qartë nëse do të marrë pjesë, ndërsa tani pritet që bisedimet të zhvillohen – midis zyrtarëve nga të dyja palët – ose këtë pasdite ose nesër në Stamboll.
Nga burimet ruse thuhet se do të jenë sot, kurse burimet ukrainase thonë se do të jenë nesër.
Në anën tjetër, presidenti Volodymyr Zelensky do të takohet fillimisht me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara. Por, ai e ka bërë të qartë se nuk do të negociojë me askënd tjetër përveçse me liderin rus.
(Kosova Sot Online)