Gashi: Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të reja

  • A.P /
  • 17 May 2025 - 12:05
Gashi: Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të reja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se përgjegjësia për të dalë nga bllokada në Kuvend bie mbi partinë që ka fituar zgjedhjet. Ai tha se LDK do të marrë pjesë në seancën e sotme me të njëjtin qëndrim si më herët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në deklaratën për media, Gashi u shpreh se pjesëmarrja në seancë nuk nënkupton nënshtrim ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Shkuarja në Kuvendin e Kosovës për seancë nuk është bërje e ‘argatit ndaj Albin Kurtit’, por është detyrë kushtetuese”, tha Gashi.

I pyetur nëse LDK-ja ndien obligim për të kontribuar në zhbllokimin e situatës institucionale, Gashi tha se kjo ka qenë arsyeja pse partia e tij ka propozuar një qeveri nacionale të tranzicionit.

“Ndiejmë obligim dhe për këtë arsye kemi dhënë opsion. E drejta kushtetuese i lind vetëm Lëvizjes Vetëvendosje, partia që del e para. Vetëm ata e kanë të drejtën dhe me këtë të drejtë lindin edhe obligimet. Nëse do të ishte një situatë kur ata i kanë numrat për ta zgjedhur, atëherë mund ta propozonin kë të donin. Por, në momentin kur një subjekt politik s’i ka numrat atëherë detyrohet që të bashkëpunojë. Bashkëpunimi është dialog, dialogu është për të lëshuar pe”, theksoi ai.

Ndërsa foli edhe për takimin e fundit të liderëve partiakë me presidenten Vjosa Osmani, Gashi e vlerësoi si hap pozitiv, por jo të mjaftueshëm.

“Takimi në Presidencë mes presidentes dhe liderëve partiakë është hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm derisa nuk ka një zgjidhje”, tha ai, duke shtuar se partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të reja.

(Kosova Sot Online)