
Gjykata Kushtetuese jep detaje se si do të shqyrtohet çështja e votimit të kryeparlamentarit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar një kërkesë nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që ka të bëjë me çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, konkretisht lidhur me ndryshimin e formës së votimit nga i hapur në të mbyllur, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas përgjigjes zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, kjo kërkesë është parashtruar më 12 maj 2025 dhe tashmë është regjistruar dhe proceduar në përputhje me procedurat e brendshme ku kanë deklaruar se kanë pranuar edhe komente nga palët mbi këtë rast.
“Kjo kërkesë është parashtruar në Gjykatë, më 12 maj 2025. Kërkesa e parashtruar tashmë është regjistruar dhe proceduar nga Gjykata, dhe përgjatë ditës së djeshme janë pranuar edhe komentet nga palët e interesit në këtë rast”, thuhet në deklaratë.
Gjykata bën të ditur se çështja do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së saj. Vendimi për këtë rast do të bëhet i ditur në kohën e duhur për të gjitha palët e përfshira, si dhe për publikun e gjerë.
‘’ Kërkesa do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës, dhe për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinion’’ thuhet në përgjigjien e Gjykatës Kushtetuese.
(Kosova Sot Online)