Hajrullah Çeku ndër emrat e mundshëm të VV-së, si i propozuar për kryetar të Prishtinës

  • A.P /
  • 10 June 2025 - 15:09
Hajrullah Çeku ndër emrat e mundshëm të VV-së, si i propozuar për kryetar të Prishtinës

Një garë interesante pritet të zhvillohet në zgjedhjet lokale në Kosovë, veçanërisht në kryeqytetin Prishtinë. Një emër befasues pritet të dalë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, bëhet fjalë për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, partia e Albin Kurtit nuk e ka mohuar mundësinë që Çeku të jetë kandidat për kryetar komune.

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka deklaruar për Indeksonline se gjatë kësaj jave ka gjasa të bëhet zyrtarizimi i kandidatit.

“Është një prej emrave që përmendet”, është shprehur shkurt ai.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)