
Asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i avionit të Air India

Një avion Boeing 787-8 Dreamliner i kompanisë Air India me 242 persona në bord u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad-it këtë pasdite, duke u shndërruar në një nga tragjeditë më të rënda ajrore në Indi. Fluturimi, me destinacion Londrën, kishte 232 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas NDTV, autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka mbijetuar asnjë nga personat që ishin në bord. E duke qenë se pas rrëzimit, avioni u përplas në një konvikt për mjekë, poashtu raportohet se kanë humbur jetën pesë studentë.
Në video të publikuara, dukej avioni në përpjekje për të fituar lartësi, para se të bie dhe të përplaset duke shkaktuar një zjarr masiv.
Raportohet se pak pas ngritjes, piloti kishte dërguar një thirrje emergjente “mayday”, por më pas kontrollorët e trafikut ajror, nuk kishin marrë përgjigje.
Mediat e huaja raportojnë se pas rrëzimit, aksionet e gjigantit të prodhimit të aeroplanëve Boeing kanë rënë me gati 8%. Thuhet se ky model, një ndër më modernët në transportin ajror, ishte një nga shpresat e Boeing për të rikthyer besimin e publikut, pas një sërë incidentesh katastrofike që kanë rënduar imazhin e kompanisë ndër vite.
Kujtojmë se edhë më parë, dy aksidente fatale të avionëve Boeing MAX 8 – fluturimi i Lion Air në Indonezi në vitin 2018 dhe ai i Ethiopian Airlines në vitin 2019 – ndodhën pak minuta pas ngritjes dhe hetimet zbuluan se shkak ishte bërë një softuer në defekt që shtynte hundën e avionit poshtë, duke e bërë të pamundur për pilotët kontrollimin e fluturimit.
Edhe pse për rrëzimin e fundit të avionit të Air India, ende nuk dihen shkaqet, Boeing ka deklaruar se është në dijeni të raportimeve fillestare dhe po punon për të mbledhur më shumë informacion.
(Kosova Sot Online)