
Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.
Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.
Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikëkalimin kufitar Hungari–Serbi, ndërsa po udhëtonte me familjen nga Gjermania për në Kosovë. Sipas Kocit, kjo ishte hera e parë që Spahiu ka kaluar nëpër Serbi.
Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë, dhe “është mirë dhe është vizituar nga mjeku”.
Koci ka qëndruar këtë javë në Serbi, por nuk e ka takuar Spahiun. Ai tha se, deri më tani, Spahiu është vizituar vetëm nga avokati serb, i caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe nga daja i tij, por nuk ka pasur komunikim me familjarë të tjerë.
Sipas Kocit, kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”, sipas rel.
(Kosova Sot Online)