
Arrestohet një polic i Kosovës pasi e keqtrajtoi një qytetar

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një polic që dyshohet se ka përdorur forcë kur e kishte ndaluar një qytetar për kundërvajtje në Prizren, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar dje një informatë nga Prokuroria Themelore në Prizren për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Prizren. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje kur një qytetar ishte ndaluar nga policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik. Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor që ishte përfshirë në këtë incident.”
Ai dyshohet për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
“Arrestimi i të dyshuarit është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.”
(Kosova Sot Online)