Berisha: Zgjedhjet në diasporë u manipuluan

  • A.P /
  • 20 June 2025 - 13:40
Berisha: Zgjedhjet në diasporë u manipuluan

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për manipulimin e votës së diasporës, veçanërisht në Greqi, ku sipas tij janë shënuar parregullsi të rënda në procesin e votimit. Në një deklaratë për mediat, Berisha njoftoi se PD nuk do ta njohë rezultatin dhe do të nisë një fushatë protestash brenda dhe jashtë vendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Do të nisim të gjitha format e protestave në Shqipëri dhe bote”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, procesi i votimit të diasporës është manipuluar nga qeveria në mënyrë ekstreme. “Dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral të Edi Ramës, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se ky manipulim përbën një goditje të rëndë për idealet e lirisë dhe përpjekjet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës. “Ky akt hakmarrës primitiv, poshtërues për çdo qytetar shqiptar, de facto shndërroi procesin elektoral të diasporës në një instrument të shëmtuar të narkoshtetit shqiptar, narkodiktaturës në Shqipëri”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë saj të përgatiten për një “luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti” dhe të mobilizohen për të rikthyer të drejtën e votës së lirë.

“Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që votuan, të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit”, përfundoi kreu i PD-së.


(Kosova Sot Online)