
Matura nën hijen e dyshimeve pasi MAShT bllokon monitorimin

AVONET ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me refuzimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të lejuar monitoruesit dhe hulumtuesit e organizatës që të vëzhgojnë procesin e Provimit të Maturës Shtetërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe kontakteve zyrtare, MAShTI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për mundësinë e vëzhgimit të pavarur, duke mbajtur AVONET në pritje deri në ditën e zhvillimit të provimit dhe në praktikë duke bllokuar plotësisht mundësinë e monitorimit.
“Kjo situatë në vetvete është alarmante dhe ngre dyshime serioze për transparencën dhe rregullsinë e procesit të maturës. Sipas informacioneve të brendshme dhe burimeve të besueshme, ekzistojnë indikacione se këtë vit është përdorur një metodë e re e organizuar për manipulimin e procesit, përfshirë grupe të strukturuara që kanë lejuar kopjimin në baza selektive dhe të përzgjedhur, në disa qendra të testimit. Këto dyshime duhet të ishin adresuar përmes një procesi të hapur dhe të monitoruar nga organizatat e pavarura të shoqërisë civile, dhe jo të mbylleshin me bllokim institucional.”, thuhet në komunikatë.
AVONET kërkon nga MAShTI që të sqarojë publikisht arsyet e refuzimit për të lejuar vëzhgimin e procesit dhe të mundësojë një monitorim të plotë të çdo faze të Maturës Shtetërore, përfshirë korrigjimin, vlerësimin dhe shpalljen e rezultateve.
(Kosova Sot Online)