
Gjermanët i reagojnë Petkoviqit: Radoiçiq po lëviz lirshëm në Serbi

Ambasada gjermane në Prishtinë i është përgjigjur deklaratave të fundit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të ndalojnë qeverinë e Kosovës të ndërtojë dy ura paralelisht me atë kryesoren mbi lumin Ibër në Mitrovicë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ambasada gjermane përsëriti atë që tha dje se i kanë bërë thirrje qeverisë që të përmbahet nga veprime përshkallëzuese, por thotë se thirrjet për ulje të tensioneve vlejnë për të dyja palët.
Në një komunikatë për media, ambasada gjermane ia rikujtoi Serbisë se Milan Radoiçiq, i cili vetë mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Ambasada Gjermane është në dijeni për letrën e fundit të Dr. Petar Petkoviq ku i bën thirrje Bashkimit Europian, shteteve të saj anëtare dhe palëve të tjera të interesuara që të ndalojnë atë që ai e përshkruan si “veprime përshkallëzuese të situatës nga Prishtina”, përkatësisht ndërtimin e planifikuar të dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Siç e kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme për shtyp, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese”, tha ambasada gjermane.
(Kosova Sot Online)