Qalaj: Kushtetuesja duhet të sqarojë më mirë vendimin

  • A.P /
  • 05 July 2025 - 11:07
Qalaj: Kushtetuesja duhet të sqarojë më mirë vendimin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, para seancës konstituive të Kuvendit, e ka cilësuar si të dëmshme dhe të qëllimshme vonesën në konstituimin e institucioneve nga ana e VV-s, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se presidentja nuk ka ofruar sqarime të qarta për pasojat juridike të situatës, por ka theksuar se dëmi më i madh po i shkaktohet qytetarëve dhe vetë Kosovës.

“Po, e kam dëgju presidenten. Nuk ka dhënë sqarime cilat janë pasojat juridike, po mendoj që pasoja më e madhe është për qytetarët e Kosovës, përtej asaj juridike, sepse Kosova është duke u dëmtuar mjaft shumë. E dini që Kosova është në humbje të disa fondeve nga BE-ja. Çdo shtyrje e konstituimit të Kuvendit është e dëmshme. Është e dëmshme dhe e qëllimshme,” tha Qalaj.

Deputeti i PDK-së shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të qartësojë më mirë vendimin e saj të fundit lidhur me situatën politike.

“Mendoj që Kushtetuesja duhet të sqarojë më mirë vendimin që ka marrë para disa ditësh,” deklaroi ai.


(Kosova Sot Online)