Murati: Opozita po tenton që të arrijë pushtetin me 'zor'

  • A.P /
  • 05 July 2025 - 12:27
Murati: Opozita po tenton që të arrijë pushtetin me 'zor'

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën për përpjekje të kundërligjshme për të marrë pushtetin, duke e shkelur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Deklaratat e tij u bënë para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Murati ka theksuar se opozita, përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka reflektuar dhe ka vijuar me tentativa për të ndryshuar situatën me argumente juridike. Ai ka shtuar se opozita po tenton që të arrijë pushtetin me mjete të tilla, përkundër që qytetarët nuk ia kanë dhënë atë.

“Nuk mund ta thuash këtë, kjo është çështje që duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese. Po shohim se opozita, përkundër aktgjykimit, nuk ka reflektuar. Tendenca e tyre është të arrijnë atë që nuk ua ka dhënë populli, përmes manovrave juridike, duke tentuar ta çojnë gjithçka në Gjykatën Kushtetuese, përkundër që edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se votimi i fshehtë është në përputhje me Kushtetutën,” ka thënë Murati.

Ai ka theksuar gjithashtu se opozita po tenton të arrijë pushtetin në tryezë, duke e shmangur vullnetin e shprehur të qytetarëve.

“Po tentojnë që atë që nuk ua ka dhënë populli me votë, ta marrin në tavolinë. Edhe aty do të dështojnë. As qeveria, as Kuvendi nuk mund të merren me zor,” ka përfunduar Murati.

(Kosova Sot Online)